Pamjet ekskluzive kur grabitësit e Rinasit futen në pistë dhe marrin thasët me euro

5 Maj 2019, 22:42

REPORT TV siguron pamje të tjera ekskluzive nga grabitja në aeroportin e Rinasit në datë 9 prill të këtij viti, ku autorët morën rreth 6 milionë euro. Në pamjet e reja të siguruara nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta duket furgoni i grabitësve me mbishkrimin “Hetimi Tatimor ” që pasi ka shpërthyer derën e rrethimit vijon i pa shqetësuar nga askush itinerarin në pistën e aeroportit duke kaluar nga pas avionëve të parkuar drejt avionit të linjës së Austrisë, ku po vendoseshin thasët me eurot.  

Furgoni futet në pistë 10 sekonda pasi ulet një avion me 200 pasagjerë nga Itali. Një fakt i tillë ka shtuar akoma më shumë dyshimet te hetuesit se grabitësit kishin dijeni nga brenda stafit për lëvizjet e avionëve.  Avioni ku ndodheshin lekët është i treti në radhë, teksa dallohet bishti bishti i avionit të 'Austrian Airlines". Furgoni i policisë që lëviz dhe furgoni i policisë kufitare që qëndron në pistë për të riatdhesuarit janë me armatim vetëm pistoleta.

Hetuesit e krimeve nga kjo video kanë krijuar dyshimet se dikush nga grabitësit më parë është futur në piste i kamufluar si punëtor dhe dinte me ekzaktësi rrugët e kalimit dhe oraret e ulje dhe ngritjes së avionëve. Nga videot duket se në pistë avioni ka qëndruar vetëm 2 minuta, ndërsa e gjitha grabitja ka zgjatur 5 minuta, nga çarja e derës. Furgoni i policisë kufitare lëviz në 15:03 minuta, kur furgoni i grabitësve ishte larguar me paratë në 7 thasët e marra në bordin e avionit. Ndërsa FNSH-ja ka lëvizur disa sekonda më parë edhe ka qenë nga jashtë pistës duke e ndjekur.