Panairi i Librit ‘Tirana 2019’ ngre siparin në 13 nëntor, vëmendja tek letërsia evropiane dhe ballkanike

11 Nëntor 2019, 15:25

Panairi i Librit “Tirana 2019” çel siparin në datë 13 nëntor në Pallatin e Kongreseve. Në edicionin 22 të këtij viti rreth 100 pavijone ekspozuese në të gjitha trevat shqipfolëse i janë bashkuar këtij aktiviteti të madh ndër-rajonal në Shqipëri. Ndërsa, rreth 200 shkrimtarë, krijues, përkthyes do të jenë pjesë e 100 veprimtarive, të cilat do të organizohen në stendat e shtëpive botuese, ku është menduar që të promovohen rreth 60 tituj të rinj. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, i cili është edhe organizator i këtij Panairi, Petrit Ymeri, ndalet tek risitë kryesore të këtij edicioni.

“Panairi ka rreth 100 botues nga të gjitha trevat shqipfolëse, por do të ketë edhe disa përfaqësi nga institucionet e huaja, që merren me librin. Gjatë ditëve të panairit do të ketë shumë aktivitete, që kanë të bëjnë më përkthimin, mes tyre edhe rreth 60 promovime librash”, thotë kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri.

Ymeri tregon edhe tek disa nga tematikat, që do të trajtohen në aktivitetet që do të mbahen gjatë katër ditëve të panairit.  

“Nuk do të ketë një temë të caktuar. Një nga temat kryesore, që do të diskutohet është që botuesit shqiptarë kanë bërë hapa shumë të mëdha gjatë këtyre viteve, krahasuar me institucionet shtetërore. Po përballemi me një indiferencë të dukshme të institucioneve shtetërore për të ndihmuar sistemin libror në Shqipëri. Këto probleme ne kemi më shumë se çerek shekulli, që i kemi ngritur, ndërsa këto vite i kemi sjellë më shumë në vëmendje. Në seminaret, që do të zhvillojmë gjatë panairit do të ndalim tek përkthimi dhe botimi i letërsisë evropiane edhe ballkanike, sepse janë kultura, të cilat nuk i kemi njohur sa duhet më herët”.

Panairi i Librit “Tirana 2019” do të mbyllet në datë 17 nëntor. Ndërsa, juria e pazgjedhur prej dy muajsh është duke punuar për të zgjedhur veprat fituese në këtë panair.