Pandeli Majko lë kostumin, e nis në mënyrën më sportive fushatën mes të rinjve

26 Mars 2021, 20:58

Me një bluzë sportive ngjyrë të kuqe, me batutat që kurrë nuk i lëshon dhe mes të rinjve që dikur edhe vetë drejtonte, kështu e ka nisur ditën e parë të fushatës Pandeli Majko, i cili garon sërish në “zemrën” e Partisë Socialiste, në Njësinë numër 5.

I shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh drejtues i fushatës së socialistëve për të gjithë Qarkun, Majko ka dhënë disa mesazhe ndaj të rinjve në formate të ndryshme të dy takimeve të zhvilluara, me pyetje të drejtpërdrejta, por edhe duke iu përgjigjur interesit të ndjekësve online, ku është bazuar më së shumti edhe vetë kjo fushatë. 

Ajo që veçoi deputeti socialist ishte pikërisht fakti që ndryshimi në Tiranë e sidomos në Njësinë 5 është mjaft i vrullshëm, në radhë të parë duke iu dhënë më shumë mundësi dhe hapësira të rinjve, siç është dhe shembulli i Parkut Olimpik, një prej investimeve më moderne sportive në kryeqytet prej nga ku nisi edhe bashkëbisedimi me të rinjtë.