Pandemia dhe personat me Sindromën Down, shoqëria civile: Të futen në grupet prioritare për vaksinim! Politika të ndalojë gjuhën ofenduese

21 Mars 2021, 18:39

682 janë personat me sindromën down  që jetojnë Shqipëri, mes 73 000 personave me aftësi të kufizuara (PAK). Problematikat që kjo kategori vulnerabël e shoqërisë hasin çdo ditë jo rrallë herë nuk janë  në vëmendjen e institucioneve apo politikës. Sipas një studimi të UNDP në Shqipëri, gjatë vitit 2020, në 18 bashki të vendit vetëm 1901 persona me aftësi të kufizuara kanë pasur akses në shërbime publike. E dhënë e cila nëse merret si referencë do të thotë se në 61 bashki  kanë akses jo më shumë se 6500 PAK pra me pak se 1% e PAK (73.000 persona). Të njëjta referenca tregojnë se rreth 42% e shërbimeve shoqërore ofrohen nga operatorë jo-publikë .  

Në kuadër të 21 Marsit, ditës Botërore të Sindromës Down  shoqëria civile kërkon hapa konkretë edhe nga ligjvënësit për të përmbushur të drejtat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Përmes një komunikate Fondacioni Down  Syndrome Albania i kujton autoriteteve faktin që Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara Për Të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, dhe ka detyrime konkrete në këtë drejtim.

Nisur nga situata e pandemisë së COVID-19 në vend, e cila ka vështirësuar situatën e personave me Aftësi të Kufizuara, fondacioni kërkon nga Komiteti i Ekspertëve të fusë në planin kombëtar të vaksinimit si grup prioritar personat me Sindromën Down  pasi janë grup risku. Gjithashtu të futen edhe stafet e qendrave publike dhe jo publike që ofrojnë shërbime për Personat me Aftësi të Kufizuara.

"Qeveria shqiptare të mbështesë financiarisht personat me aftësi të kufizuara me një vlerë monetare të barabartë me shumën e pagesës së aftësisë së kufizuar për të lehtësuar sadopak efektet e pandemisë në jetën e tyre", thuhet në komunikatë.

Fondacioni down  Syndrome Albania nuk harron të përmende edhe raste skandaloze kur politikanë shqiptarë e kanë përdorur me fjalën 'Dowm' në ligjërimin e tyre politik për të sharë njëri-tjetrin.

"Fondacioni ynë i bën thirrje politikanëve shqiptarë që të ndalojnë menjëherë e përgjithmonë narrativat që nxisin bullizmin, diskriminimin, stigmën, steriotipet si dhe dhunën psikologjike e fizike. Mjaft më! Jeni duke shkelur rëndë etikën në komunikim e keni kaluar çdo cak të një morali të shëndetshëm shoqëror", nënvizohet në deklaratë.

Në kuadër të 21 Marsit, Fondacioni Down Syndrome Albania njofton se do të risjellë  ekspozitën “Edhe Unë Jam Një Vepër Arti” – të fotografes Soela Zani, e cila do të qëndrojë e hapur gjatë datave 24-27 mars tek Kalaja e Tiranës.