'Pandemia' dominon Bienalen e Karikaturës, 120 mjeshtra marrin pjesë në aktivitetin në Pogradec

20 Shtator 2020, 20:37

120 mjeshtra të karikaturës, kanë sjellë punimet e tyre, në një bienale të organizuar në qytetin e Pogradec, e cila vjen për të parën herë në Shqipëri. Punimet që u paraqitën në këtë bienale ishin me tematika te veçanta, por ajo qe dominonte me tepër ishte situata e vështirë e pandemisë, që po kalon e gjithë bota.

"Doli jashtë pritshmërie tona. Nuk e prisnim të kishim një pjesëmarrje kaq serioze nga e gjithë bota. Ishte e vështirë se kishte shumë tema të ngjashme. Pjesa më e madhe kishte të bënte me situatën e pandemisë. U dash shumë punë dhe mund” u shpreh drejtori i Qendrës Kulturore në Pogradec, Eritan Kanolli.

Bienalja e karikaturës nuk mbërriti rastësisht në Pogradec. Ishte vajza e publicistit e gazetarit Niko Nikolles, Flora Nikolla që bëri të mundur realizimin e këtij aktiviteti të veçantë si një homazh për babain e saj.

"Është dashur shumë punë, lodhje, këmbëngulje dhe optimizëm. Mendo të organizosh një gjë të tillë ku COVID ka vendosur kurorën e tij pa dashje. Megjithatë si një gazetare me një eksperiencë 30 vjeçare asnjëherë nuk e kam ngatërruar punën me jetën personale”, tha organizatorja, Flora Nikolla.

Për emrat e mëdhenj të artit si Zhani Ciko e Enver Petrovski ky organizim i solli edhe më tepër vlera qytetit breg-liqenor.

Është një art që duhet zhvilluar dhe ne kemi artistë shumë të mirë. Kur vijnë edhe nga bota është shumë mirë”, tregoi muzikologu Zhani Ciko.