Me argumentin se pandemia i ka dëmtuar, komisionet parlamentare kanë miratuar heqjen taksës së rentës minerare për kompanitë e prodhimit dhe të përpunimit të kromit dhe bakrit.
Fillimisht projektligji parashikonte heqjen e rentës minerare në vlerën e 8% këtë vit dhe 9% të parashikuar për vitin 2021, vetëm për kompanitë e përpunimit të kromit dhe të bakrit, të cilat i eksportonin këto minerale metalore në formën e nënprodukteve minerare, sikurse është ferrokromi apo koncentratet e kromit dhe të bakrit.
Përjashtimi ishte parashikuar për 3 vite, por pas diskutimeve në komisione u vendos që për një periudhë 1 vjeçare (vetëm 2021) të përjashtohen nga kjo taksë edhe kompanitë e nxjerrjes së këtyre dy produkteve.
Edhe pse ky propozim erdhi nga deputetet e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe u mbështet nga Ministria e Infrastrukturës dhe opozita, përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë e kundërshtuan me argumentin se thellon gropën në buxhet.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se sot me vështirësi reale ndeshet si përpunuesit ashtu edhe nxjerrësit”, u shpreh Beqaj.
“Nga eksporti i kromit ne arkëtojmë 290 milionë për këtë vit. Pra nëse ne e zgjerojmë këtë përjashtim edhe me kromin e papërpunuar kostoja kalon mbi 1 miliardë lekë në tre vite që është e paparashikuara në buxhetin e shtetit. Nëse do të ndiqet e njëjta logjikë edhe për mineralin e papërpunuar kostoja rritet edhe me më shumë se 1 miliardë në 3 vite dhe është e paparashikuar në buxhetin e shtetit”, tha Niko Lera nga Ministria e Financave.
“Ne mbështesim propozimin që i gjithë sektori të jetë i përjashtuar nga renta minerare”, tha zëvendësministri i infrastrukturës.