Para arrestimit Viktor Ymerit iu vendos masë kufizuese nga OFL! Ndalim dalje jashtë shtetit si dhe nga qarku i Vlorës

12 Dhjetor 2020, 15:32 | Përditesimi: 12 Dhjetor 2020, 15:32

Viktor Ymeri, “i forti” i Vlorës që në 7 dhjetor 2020, u arrestua nga SPAK, si i dyshuar në pjesëmarrjen e vrasjes së Vajdin Lamaj dhe Dritan Arsit në 27 shkurt 2005, kishte një masë ndalimi për të dalë jashtë shtetit dhe nga territori i qarkut të Vlorës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Operacionit “Forca e Ligjit”, të cilët thanë për “Shqiptarja.com”, se para arrestimit nga SPAK, ata kishin bërë izolimin e Ymerit, duke mos i dhënë mundësi ikje.

Për më tepër agjentë të policisë së Vlorës, e kanë mbajtur gjatë kësaj periudhe në vëzhgim. Sipas burimeve, nga ana e OFL-së, Viktor Ymerit, i është komunikuar në mesin e muajin nëntor në ambientet e policisë së Vlorës, masa e ndaluese për të dalë jashtë shtetit dhe territori i Qarkut të Vlorës.

Vendimi është marrë sipas dispozitave ligjore të aktit-normativ të nxjerrë nga kryeministri Edi Rama, lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe pasurisë financiare që disponojnë elementët kriminalë. Me marrjen e këtij vendimi, Viktor Ymeri, që prej muajit nëntor jo vetëm që nuk mund të udhëtonte jashtë Shqipërisë, por s'mund të shkonte dot, as deri në Fier. Në momentin e arrestimit, Ymeri është ndaluar në banesën e tij dhe më pas është transportuar në drejtim të policisë së Tiranës.

Pak ditë më parë SPAK zbardhi dy ngjarjet e bujshme të 2005 ku u vranë Vajdin Lamaj dhe Klodjan Saliu. Për këto dy vrasje të akuzuarit kryesor janë Emiljano Shullazi, Lul Berisha dhe anëtarët e bandave të tyre. Rihapja e hetimeve ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit Luftar Reçi, ndërsa SPAK po i trajton të dy vrasjet në një dosje të vetme, duke akuzuar Lul Berishën dhe Emiljano Shullazin dhe bandat e tyre se kanë bashkëpunuar për vrasjen Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, i cili shoqëronte Lamajn në ashensor.

r.k./Shqiptarja.com