Para ekstra dhe heqje shpenzimesh, Wolsburg tenton t’i prishë mendjen Kukësit që ndeshja të luhet në Gjermani

9 Shtator 2020, 11:46

Ndeshja më prestigjioze e Kukësit në Europa League kundër Wolsburg me datë 17 shtator, e vlefshme për raundin e dytë eliminator, ka gjasa të mos luhet në Air Albania pavarësisht se UEFA kështu vendosi. Burime të ‘Report TV’ bëjnë me dije se Wolsburg i ka bërë një ofertë Kukësit për ta zhvilluar ndeshjen në Gjermani.

Për ta bindur ekipin me president Safet Gjicin Wolsburg është ofruar për të hequr të gjithë shpenzimet, si udhëtimi, akomodimi dhe gjithçka tjetër që duhet për organizimin e një ndeshje. Madje edhe pse nuk dihet shuma e saktë Wolsburg ka ofruar edhe një shumë parash.

Aktualisht te Kukësi janë të dyzuar për këtë ofertë, ndërsa për ta bërë të mundur duhet edhe aprovimi i UEFA-s. Në rast se dy klubet bien dakord atëherë edhe institucioni i futbollit Europian mund të japë lejen.

Gjithsesi te Kukësi i tremben edhe paragjykimeve nëse do të pranojnë ofertën e gjermanëve, të cilët duan të shmangin udhëtimin drejt Shqipërisë. Por burime brenda klubit të Kukësit bëjnë me dije gjasat më të mëdha janë të mos e pranojnë ofertë, por të tentojnë mrekullinë në ‘Air Albania’ për t’u kualifikuar dhe për të marrë edhe 280 mijë euro të tjera si pjesmarrëse në turin e tretë.