Paralajmërimi/ Ambasada e SHBA: Basha e Kryemadhi të dënojnë dhunën! Uluni në dialog, zgjidhni krizën!

13 Maj 2019, 22:49

Një orë para protestës së opozitës jokuvendore kundër qeverisë, një zëri ndërkombëtarët i bëjnë thirrje udhëheqësve politikë të dënojnë publikisht dhunën në protestën e 11 majit ku u sulmuan me bomba molotov efektivët e policisë dhe institucionet, dhe bëjnë apel që të ulen në dialog për të zgjidhur ngërçin politik. Protestat, thuhen në reagimet e ambasadave të SHBA-së, OSBE-së, britanikes, italianes dhe selisë diplomatike gjermanë, duhet të jenë paqësore dhe në të njëjtën kohë, në një linjë kërkohet që palët të ulen në dialog konstruktiv për të zgjidhur ngërçin politik pasi protestat po cënojnë rrugën e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Selitë diplomatike në Tiranë dënojnë njëzëri sulmin ndaj ambasadorit të OSBE-së duke kujtuar se si u kërcënua Bernd Boschardt duke i bërë mbishkrime në hyrjen e pallatit ku ai jeton "Turp për ju", pasi ky i fundit dënoi dhunën në protestën e 11 majit dhe kërkoi marrjen e përgjegjësive nga ana e organizatorëve politikë.Thirrja e ndërkombëtarëve është edhe ndaj policisë dhe autoriteteve ligjzbatuese, për vetëpërmbatje, edhe në rast të provokimeve. 

Ambasada Amerikane në Tiranë i drejtohet në mënyrë direkte kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet dhunës në protestën e 11 majit, të cilat ishin të paligjshme dhe jo demokratike siç thekson ambasada. Ambasada kërkon që "ata të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore"