Paraqiti dorëheqjen te drejtuesit, a do të largohet Lerda nga Partizani?

29 Tetor 2019, 13:50

Zhvillimet pas përfundimit të ndeshjes Partizani-Kukësi kanë bërë që trajneri i të kuqve Franco Lerda të paraqesë dorëheqjen te klubi. Arseyja ka qenë zënka deri në përplasje fizike me ndihmës trajnerin Dritan Mehmeti.

Pas kësaj ngjarje italiani në nerva e sipër mësohet se u ka paraqitur dorëheqjen drejtuesve, por këta të fundit fillimisht e kanë refuzuar. Burime në klubin e kuq bëjnë me dije se drejtuesit i kanë kërkuar Lerdës fillimisht të qetësohet, ndërsa përsa i përket dorëheqjes do të diskutohet në një moment të dytë.

Kjo nuk është hera e parë që Lerda kapet me ndihmësit e tij. Gjithçka ka nisur që në muajt e verës kur Partizani luante në Europa League. Në atë kohë trajneri italian pati një konfrontim me Mehmetin, por edhe me Corado Sakone-n, përgatitësin atletik të të kuqve, i cili u largua si pasojë e kësaj ngjarjeje.

Lerda, i cili është pasuesi i Skënder Gegës, njihet si një person gjaknxehtë në klubin e Partizanit. Zënkat e tij nuk ka qenë vetëm me ndihmësit, por me mjekët e deri te futbollistët, të cilët janë një numër i konsiderueshëm.

Mbetet për t’u parë se si do të përfundojë situata e krijuar së fundmi, por nuk do të ishte çudi që nëse Lerda nuk bën pas me dorëheqjen drejtuesit të pranojnë vendimin e tij.