‘Partitë e reja do copëzojnë votën e PD-së’, analistët: Nuk janë kukulla të Ramës, Topalli merr mandat në Shkodër

30 Tetor 2020, 17:22

Rikthimi në politikë i ish numrit 2 të Partisë Demokratike, Jozefina Topallit me një levizje për ndryshim, krijimi i një partie të re nga deputeti i dalë nga listat e PD Myslym Murrizi, përpjekja e Rudina Hajdarit për të konkretizuar forcën politike me të cilën do të konkurojë në zgjedhjet e ardhshme, por edhe pretendimi i Astrit Patozit për të marrë mandate me Bindjen Demokratike janë një tjetër sfidë të cilës Basha duhet t'i druhet, pasi mund ti rrezikojë rezultatin në zgjedhjet e 2021.

Krijimi i partive të reja për analistët mund ta dëmtojë Partinë Demokratike. Rrjedhje më të madhe të votave, ata parashikojnë në Shkodër, ku me lëvizjen e re politike ish kryeparlamentarja Jozefina Topalli mund ti grabisë një mandat.

“Nuk i bëjnë mirë Partisë Demokratike krijimi i partive të reja të dala prej saj sepse në fund të fundit copëzojnë votën e djathtë”,  shprehet Erli Murati.

“Kodi zgjedhor i favorizon këto parti të reja. 1% është një prag që kapërcehet nga individët me ndikim lokal. Një individ si zonja Topalli ka ndikim të mjaftueshëm në Shkodër sa për të marrë një mandat të plotë”, shprehet analisti Mentor Nazarko.

Por pavarësisht kësaj, analistët janë të ndarë nëse partitë e reja do ia dalin të realizojnë qëllimin për të cilin u krijuan: Të zbresin nga froni i pushtetit 3 figurat politike Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën.

“Ndryshimet që po ndodhin në kodin elektorl, janë ndryshime që prishin statusquonë, e cila ishte krijuar nëpërmjet dominimit të tre partive kryesore, PD-LSI-PS”, thotë Nazarko.

Kurse Murati thotë: Unë besoj që forcat e reja politike me individë me eksperiencë dhe të njohura për politikën shqiptare, do e kenë të vështirë të thyejnë triopolin e politikës shqiptare.

Arsyen për këtë, analisti Murati e gjen te fakti se krijimi i partive të reja vjen nga figura, sipas tij, të konsumuara politikisht.