Partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës bëhen bashkë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë

16 Janar 2020, 15:59

TIRANE- Përfaqësuesit politikë nga partitë shqiptare të Luginës së Preshevës do të bëhen bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi. Ky bashkim u prezantua ditën e sotme nga ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj i cili priti në një takim, në Tiranë këta aktorë politikë.  

Cakaj shpjegoi se kjo listë, e cila bazohet në parime të qarta programore, do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e Bashkuar”.  Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Cakaj vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje ndërsa sa i takon funksionit që do të ketë kjo marrëveshje ai shtoi se lista do të ketë në fokus ngritjen e shqetësimeve me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore.” 

Ai vijoi fjalën e tij, duke siguruar se shqetësimet e shqiptarëve të Luginës, në të njëjtën kohë, janë edhe shqetësime të Qeverisë së Shqipërisë. Prandaj, Cakaj shprehu se Qeveria e Shqipërisë do të angazhohet pakursyer për të mbështetur listën e përbashkët të Luginës së Preshevës e afirmuar parimet politike të saj.

"Kjo marrëveshje është unike nëse shihet në rrafshin e zhvillimeve në tre vitet e fundit në Luginën e Preshevës. Sot për herë të parë në pluralizmin politik, PPD dhe disa parti të tjera kanë vendosur të bëhen bashkë. Marrëveshja e sotme është sa politikisht domethenëse. Nga pikëpamja kombëtar sot partitë kanë vendosur të tejkalojnë interesa personale duke u bërë një shembull i bashkimit të shqiptarëve. Ato janë bërë bashkë për të gjetur gjuhën e përbashkët për të mirën e shqiptarëve. Ata kanë vendosur një emër teknik me dy elemente. Ky është një kompromis që reflekton identitetin e Luginës së Preshevës.

Shqetësimet e shqiptarëve të Luginës janë edhe i qeverisë së Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur këtë projekt. Palët do të vazhdojnë të artikulojnë dallimet e tyre partiake, megjithatë i inkurajoj të gjitha palët të rrisin unitetin e tyre. Palët do të veprojnë si një trup i vetëm. Gjatë këtij viti ne kemi marrë një varg masash në shërbim të ndërlidhjen në Luginën e Preshevës. Si masë shtesë për të rritur ndërveprimin me Shqipërisë dhe Luginës kemi bërë kërkesën për hapjen e një konsullate të përgjithshme në këtë zonë. Në vrazhdën e kësaj fryme ne jemi duke punuar për finalizimin e projektit për fondin për Luginën e Preshevës. Si rrjedhojë e kësaj klime ne sot deklarojmë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët do të garojnë me një listë të vetme", tha Gent Cakaj.