'Partizani s'e ul kokën në derbi', Demi flet për sfidën me Tiranën. Halili: Do thyejmë trendin negativ

26 Shtator 2019, 16:03

Garancitë janë marrë dhe derbi i kryeqytetit që do të luhet të dielën do të jetë nën dritat e prozhektorëve. Fillimisht nga sektori i garave në FSHF ishte caktuar që Tirana-Partizani të startonte në orën 16:00, për shkak të problemeve që stadiumet kanë me sistemin e ndriçimit, por vetë FSHF ka lajmëruar se derbi është shtyrë për orën 19 po të dielën e 29 shtatorit.

Në njoftim thuhet se federata ka marrë garanci nga OSHE se gjatë zhvillimit të ndeshjes do të ketë furnizim me energji pa probleme. Ndërkohë sot klubi organizator, Tirana, ka njoftuar se kanë dalë në shitje biletat si dhe tribunat përkatëse ku do të qëndrojnë tifozët e dy klubeve.

Çmimet variojnë nga 400 lekë në tribunat përballë qendrores deri në 3000 lekë në tribunën vip. Sektorët për tifozërinë bardheblu janë B1, B2, C, D, E, F, dhe G, ndërsa për tifozët e kuq në dispozicion janë sektorët A1, A2 dhe H.

Për këtë përballje kanë folur sot edhe presidentët e klubeve, të cilët ishin në mbledhjen e FSHF-së për proçesin e licensimit. Refik Halili, numri 1 i klubit të Tiranës ka deklaruar:

"Shpresojmë që të jetë një ndeshje fair-play, dhe krahas kësaj besoj se do të dalim me fitore nga kjo ndeshje. Kam besim te futbollistët dhe mendojmë se do ta thyejmë trendin negative që nuk fitojmë prej disa vitesh."

Ndërkohë presidenti i Partizanit Gazmend Demi i pyetur nëse të kuqtë do synojnë me patjetër fitoren në derbi është përgjigjur:

“Nuk ka patjetër sepse është fillimi fare. Kemi kohë. Partizani tregon që nuk e ul kokën. Eksperiencën e ka dhe do të duket çdo gjë të dielën. Shpresojmë të jetë një ndeshje e bukur.”