Pas 10 vitesh, nis ndërtimi i banesave sociale në Vlorë

6 Mars 2020, 17:49

Rikthehet pas afërsisht 10 vitesh ndërtimi i banesave sociale në qytetin e Vlorës, punimet tashmë kanë nisur për ndërtimin e dy pallateve 8 katësh me 75 apartamente, 8 njësi shërbimi në të cilat do të strehohen të pastrehët dhe familjet në nevojë.

Fillimin e punimeve e ka mbikqyrur nga afër Drejtori i përgjithshëm i entit të banesave Stefan Çipa, i cili ka bërë me dije se ky projekt do të vijojë, krahas dy pallateve të para më pas do të ndërtohen edhe 6 pallate të tjerë, pra në total 8 pallate të cilat do të përdoren për të personat në nevojë.

Pallatet do të ndërtohen në zonën e ish-frigoriferit në Vlorë, në një zonë në të cilën ka dyshime për përmbajten e municioneve luftarake të luftës së dytë botërore.

Sipas Çipës janë bërë vëzhgimet e duhura në zonë përpara fillimit të punimeve, deri më tani nuk është parë asnjë municion luftarak, por rreziku në to ekziston ende për këtë do të ketë një vëmendje të shtuar gjatë punimeve.

Çipa gjithashtu konfirmon se projekti i banesave sociale do të vazhdojë tashmë në gjithë vendin dhe deri tani ka përfunduar ndërtimi i banesave sociale me 40 apartamente.

"Gjatë vitit 2020 do të vijojmë me ndërtimin e 75 apartamente, 8 njësi shërbimi.

Apartamentet janë ndërtuar në në Gramsh, në Korçë, në Kavajë dhe shumë shpejt presim të nisim ndërtimin e banesave në Maliq dhe Kukës", tha Stefan Çipa.

Projekti i ndërtimit të dy pallateve sociale për të pastrehët në zonën e ish-frigoriferit në Vlorë pritet të përfundoj brenda 1 viti, me një vlerë të projektit e cila kap shifrën e rreth 199 milionë lekëve.