Pas 27 viteve në detyrë Alaudin Malaj vendos të largohet nga gjykimi

27 Korrik 2020, 14:37 | Përditesimi i fundit: 2020-07-27 14:54:07

Pas 27 vite shërbim pranë sistemit të gjykatave në Shqipëri, Alaudin Malaj ka vendosur të japë dorëheqjen, teksa ende nuk kishte dalë në vetting.

Vendimi për tu larguar ishte i pritshëm, pasi zërat në korridoret e gjykatës së Apelit Tiranë, për dorëheqjen e Malaj, u shtuan menjëherë pas dorëheqjes së gjyqtarit Gjin Gjoni. Letrën e dorëheqjes, Alaudin Malaj, ia ka dorëzuar pak ditë më parë sekretarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, këshill i cili pritet që në ditët në vijim të mari një vendim konkret për këtë çështje.

Në letrën e dorëheqjes Malaj shpjegon se ka punuar pranë sistemit të drejtësisë qysh prej vitit 1993, duke shërbyer në disa gjykata të vendit, ku kulmi i karrirës së tij, ka qënë drejtimi i Gjykatës së Apelit Tiranë.

“…kam patur privilegjin të punoj në disa gjykata të vendit tim dhe të jem kryetar në Gjykatën e Apelit Tiranë, dhe të lë gjurmë positive në karrierën time. Prandaj, ndjehem krenar për vehte, kolegët por mbi të gjitha familjen tim…”-shkruan Malaj.

Gjyqtari Alaudin Malaj, rradhitet si një ndër gjyqtarët më të polemizuar në sistemin e gjykatave të vendit. Kjo pasi me disa nga vendimet e tij, shumë qytetarë por edhe fraksione të dryshme politike e kanë anatemuar atë si një gjykatës, jo të drejtë me ligjin.