TIRANE - Zëvendëskryeministri Erjon Braçe paralajmëroi një fazë të re të aksionit anti-informalitet. Pas kontrolleve në tregun e karburanteve, edhe të prodhuesve të mëdhenj, në sitë do të vihen të gjithë ata konsumatorë të mëdhenj që në kompanitë e tyre kanë depozita nafte përtej kapaciteteve dhe të palicencuara. Në një komunikim për mediat, Braçe i dha kohë të nisin të gjitha procedurat në institucionet përgjegjëse për tu certifikuar, ndërkohë që tha se hetimit të organeve fiskale, nuk do t'i shpëtojnë as inspektorët që mund të kenë bërë një sy qorr përballë paligjshmërive.
"Prej javësh jemi fokusuar në tregun e karburanteve, jemi ndalur tek importuesit e mëdhenj. Në mënyrë të qartë edhe tek prodhuesit e mëdhenj të karburanteve. Tani do ndalemi tek konsumatorët e mëdhenj të karburanteve në vend. Do doja t'i bëja një thirrje atyre që janë konsumatorë të mëdhenj dhe që zotërojnë depozita në ambientet e kompanive të tyre, për kompani të mëdha të ndërtimit të rrugëve, të prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe transportit të tyre, kompani të mëdha të ofrimit të shërbimeve vecanërisht në tregti, por edhe të prodhimit të produkteve të ndryshme, që kanë depozita dhe që për fat të keq janë depozita të pacertifikuara nga autoritetet ligjore. Janë të pacertifikuara për kapacitetet e tyre. Edhe pompat janë jo në sistem fiskal. Secili ka kohën e mjaftueshme t'i drejtohet institucioneve për të certifikuar kapacitetet e tyre dhe konsumin e tyre të karburantit. Ka edhe një kategori tjetër që nga hetimet e organeve fiskale, sjellin në vëmendjen faktin që nuk kanë depozita pranë kompanive të tyre, nuk konsumojnë naftë, por janë pjesë e operacioneve në letra të tregtimit të karburantit. Secili prej tyre do jetë pjesë e hetimit, dhe bashkë me ta, për këtë paligjshmëri do të mbajnë përgjegjësi dhe të gjithë inspektorët e organeve fiskale që e kanë lejuar këtë paligjshmëri", tha zëvendëskryeministri Erjon Brace.