Pas inspektimeve të konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit, kryeministri Edi Rama ka inspektuar Qytetin Studenti ku kanë nisur punimet për rikonstruksionin e godinave të para. Investimet për kushte më të mirë në konvikte është një nga tetë kërkesat e studentëve të cilët protestuan për 17 ditë me radhë përpara Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë.
"Në Qytetin Studenti, ku edhe aty është ngritur kantieri i parë i konvikteve, falë një projekti me Agjencinë turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe me fonde të buxhetit të shtetit shumë shpejt do të krijohen kushtet optimale akomoduese për studentët. Atyre që e kanë shkruar pikën 1 të 8 kërkesave të studentëve, u them se plani ynë për përmirësimin e kushteve në konvikte, ka nisur të zbatohet kohë më parë. Por, nga ana tjetër, kjo pikë e artikuluar së fundmi, si një kërkesë e studentëve, është një shtysë e nevojshme për të ecur më shpejt", shkruan kreu i qeverisë në Facebook.