Pas ndryshmeve, buxheti 2021 arrin në 484 mld lekë! Përfshihet rimbursimi i ilaçeve për COVID

27 Nëntor 2020, 21:19

I mbështetur në 5 shtylla ndër më kryesoret rindërtimi i vendit dhe menaxhimi i pandemisë, buxheti i vitit 2021 do të jetë në vlerën e 484 miliardë lekëve duke pësuar një rritje me 5 miliardë lekësh nga buxheti fillestar.

Fillimisht buxheti i shtetit u parashikua në nivelin e 479 miliardë lekëve, që sipas qeverisë përmbushte parashikimin e rritjes ekonomike në vitin që vjen me 5.5%.

Duke qenë se Komisioni i Ekonomisë vendosi të shtojë fondet për disa programe dhe institucione, edhe parashikimi për të ardhurat dhe për shpenzimet ka ndryshuar. Sipas ligjit të publikuar në faqen e Kuvendit shpenzimet për 2021 do të jenë 592.8 miliardë lekë, dhe deficiti 108.6 miliardë lekë.

Ministria e Shëndetësisë si pasojë e pandemisë ka marrë buxhetin më të madh për vitin që vjen, në rreth 70 miliardë lekë. Po ashtu ky buxhet parashikon edhe fondin prej 6 miliardë lekësh për blerjen e vaksinës kundër virusit, si dhe fondi për rimbursimin e medikamenteve që përdoren për kurimin e COVID-19.

Nga ana tjetër pjesë e buxhetit është përcaktuar edhe shuma prej 560 milionë lekësh për pagën prej 40 mijë lekësh për naftëtarët. Edhe pse është konsideruar shumë ambicioz edhe nga vetë qeveria për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet ekonomia si pasojë e pandemisë, buxheti i 2021 është i pari që nga 2014 që është hartuar në rënie.

Nëse vit pas viti Ministria e Financave sillte një buxhet në rritje, këtë herë ndodhi ndryshe, pasi buxheti i 2021 është 25 miliardë lekë më i ulët se fillestari i këtij viti dhe rreth 2 miliardë më pak se në 2019.