Pas përplasjes me Berishën, Thaçi sqaron: Nuk e ndajmë Kosovën, bashkohemi me Preshevën

5 Gusht 2018, 14:43

Kosovë- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka sqaruar sot në një intervistë për KosovaPress idenë për korrigjimin e kufijve, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se nuk ka qëllim të ndajë Kosovën, por të bashkojë Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin me të.

Pas përplasjes në distancë me me ish-kryeministrin Sali Berisha, Thaçi pranon se ka dallime ndërmjet liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës sa i takon dialogut.

Së pari, mendoj që z. Berisha ka dhënë mendimin e vet për atë se çfarë mendon për zhvillimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Unë e respektoj mendimin e tij. Më vjen keq që disa media janë bërë mjeshtër të shtrembërimit të së vërtetës. Lehtë është të parashikohen tituj të tillë bombastikë edhe pas kësaj interviste. Por, interesi shtetëror dhe nacional nuk vendoset nga lajmet e rrejshme, por vetëm me vendime institucionale dhe të përgjegjshme. Unë nuk kam çështje të hapura personale me asnjë lider në Shqipëri apo në Kosovë.

Hashim Thaçi, president i Kosovës

Më parë, pasi Berisha u shpreh kundër korrigjimit të kufirit me Serbinë, presidenti Thaçi reagoi me një status ku shkruante se nuk pranonte këshilla nga ata që populli i kishte larguar masivisht me votë nga pushteti, ata që ishin përfshirë në kontrabandë nafte në kohën e Millosheviçit, apo nga ata që strehuan vrasësin e shqiptarëve të Kosovës, Arkanin, duke etiketuar indirekt ish-kryeministrin Berisha.