Pas sherri me nëndrejtorin e Policisë, Ervin Salianji 'bëhet' mburojë para militantëve

15 Qershor 2019, 20:00

Pas përplasjeve dhe konfrontimeve që pati me nëndrejtorin e Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka teksa së bashku me militantë të PD-së dhe LSI-së tentuan të bllokojnë kalimin e eskortës së kreut të qeverisë Rama në Kolonjë, ish-deputeti Ervin Salianji është parë më tej teksa mundohet të neutralizojë turmën e simpatizantëve. Edhe teksa mbaroi takimin në Devoll për të shkuar më tej për fushatë në qytetin e Korçës, militantët e opozitës u mblodhën sërish në aksin Bilisht-Korçë në tentativë për të bllokuar kalimin e kryeministrit. Por forcat e policisë në vendin e ngjarjes bënë të mundur neutralizimin e turmës duke mos e lejuar të bllokojë rrugën. Eskorta u qëllua me shishe uji, por në këto video të shpërndara nga Partia Demokratike, shihet teksa Ervin Salianji mundohet të mos lejojë që turma të shkojë në dhunë dhe përplasje me policinë.