Pas Shqipërisë, edhe Kosova i thotë stop bixhozit

22 Mars 2019, 15:10

Pas Shqipërisë, edhe Kosova i ka thënë stop bixhozit. Në seancën parlamentare, deputetët e Kosovës kanë miratuar me 74 vota pro një projektrezolutë e cila pezullon për 30 ditë lojërat e fatit. Kjo për t’i dhënë afat qeverisë kosovare që të sjellë në Kuvend projektligjin që do t’i ndalojë ato për një afat 10-vjeçar.

Nismëtari i kësaj resolute ka qenë kreu i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti i cili tha në seancën e jashtëzakonshme, se kjo është zgjedhja më e mirë për të ndaluar që kazinotë të ushqejnë krimin.

 “Shteti i Kosovës duhet të mbrojë qytetarët, mirëpo është për të ardhur keq, që institucionet reagojnë vetëm pas ngjarjeve tragjike. Në Kosovë ekzistojnë 1.645 aparate të licencuara të lojërave të fatit. Nuk duhet të lejojmë që kazinotë të ushqejnë krimin, e lojërat e fatit të përcaktojnë fatin e individëve dhe të familjeve tona”, ka thënë Hoti.

Projektrezoluta bëri bashkë të gjitha forcat politike në Kosovë, duke marrë aprovimin e të gjithë aktorëve politikë.

Vendimi i shtetit të Kosovës erdhi pas ngjarjeve të rënda, ku brenda një jave, dy të rinj, një në Lipjan dhe një në Suharekë humbën jetën në lokalet e basteve.

Një vendim të tillë, për mbylljen e të gjithë pikave të basteve dhe kazinove, Shqipëria e ka marrë që në fundin e vitit të kaluar, vendim ky që është përshërndetur nga të gjithë qytetarët.