Pas vrasjeve të ditëve të fundit, vijojnë kontrollet e policisë në Elbasan e Vlorë

20 Shtator 2020, 22:04 | Përditesimi i fundit: 2020-09-20 22:05:15

Policia vijon punën me masa të shtuara e kontrolle në Elbasan dhe në Vlorë. Gjatë mbrëmjes së sotme, Policia e Elbasanit së bashku me FNSH, kanë ngritur pikë kontrolli në Brandashesh dhe po kontrollojnë automjetet.

Kontrollet po kryhen për kapjen e autorëve të ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Elbasan, ose personave në kërkim, por edhe për evidentimin e elementëve kriminalë. Kujtojmë se kontrollet në Elbasan kanë nisur që prej datës 17 shtator të këtij muaji, ku u ekzekutua nga tre persona Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës.Ndërsa policia e Vlorës ka vijuar prej disa ditësh kontrollet në hyrje të qytetit, për të ruajtur sigurinë e qytetarëve.