Pasioni për lulet e shndërroi në Zonjën e trëndafilave në Tiranë

15 Korrik 2020, 20:31

Mund ta imagjinonim në një vitrinë të bukur, ku lulet duket se marrin jetë por aty në vend të saj, është një karrige e improvizuar në një barrierë betoni. Kjo është Valbona Bodlli, zonja 50-vjeçare që udhëton çdo ditë nga Shijaku drejt Tiranës pasi pasionin për gjënë më të bukur dhe delikate të kësaj bote, lulet, prej vitesh e ka shndërruar në motivin e një pune të përditshme.

Report Tv, sjell historinë e zonjës së trëndafilave në zonën e Bllokut në Tiranë e cila e mësuar që në vegjëli me kujdesin për këtë lloj mrekullie të veçantë të natyrës, pasionin e saj të madh sot e ka shndërruar një një kopsht gjigant trëndafilash e lulesh ku aromat, qetësia dhe eleganca e natyrës bëhen bashkë për të krijuar një emër  të vetëm “Të bukurën”.

“Pjesën përpara shtëpisë e kemi me të gjitha llojet e luleve, edhe emrat nuk ia di disave . Po më shumë kam trëndafila, domethënë kryesorë janë ato,  kam karafilat, borzilokun, mëllagat flas për lulet shqiptare nga llojet e luleve tradicionale të vjetra që kemi pas edhe kujdesemi aq shumë sepse jemi të dashuruar me lulet.  Gjithmonë nuk e kemi mbajtur kurrë shtëpinë pa lule, gjithmonë me ato vazot e thjeshta”, tha Valbona Bodlli.

Ideja për të krijuar një kopsht të madh shumëngjyrësh ku ato që mbizotërojnë janë trëndafilat e kuq, Valbona rrëfen se ishte fillimisht e bashkëshortit të saj. Ndër vite duket se e më këtë pasion të cilin ajo e konsideron të pazëvendësueshëm e ka shnëdrruar në një kulturë të familjes ku nuk  mungon dhe vetë kujdesi i vetë fëmijëve të saj.