Paskal Milo për Report TV: Tirana vulosi çlirimin e Shqipërisë! Enver Hoxha ishte lideri

17 Nëntor 2019, 12:32

Në ditën e çlirimit të Tiranës, historiani i njohur Paskal Milo rrëfen ngjarjet e asaj dite të 17 nëntorit të vitit 1944. Milo e quan luftën për çlirimin e Tiranës si betejën më të madhe të luftës nacionalçlimtare, që kurorëzoi atë fitore që 12 ditë më pas do t’i vinte vulën çlirimit përfundimtar të Shqipërisë. Dita kur trupat gjermane tërhiqeshin drejt Tiranës  dhe u zunë në pritë nga forcat partizane, duke ndezur një betejë gjaku e zjarri për 24 orë rresht, përfundoi me bilancin tragjik të humbjes së jetëve të 2000 ushtarëve gjermanë dhe të afërsisht 300 partizanëve.

Ndërsa për numrin e partizanëve të rënë në luftë, Milo shprehet se ende nuk është saktësuar, ku pati dhe qindra të plagosur, tashmë po vijon kërkimet për plotësimin e të dhënave dokumentare të kësaj periudhe  Paskal  Milo në një intervistë ekskluzivisht për Report TV rrëfen si u çlirua, më 17 nëntor të 1944-s kryeqytetit shqiptar, Tirana. Cili ishte pozicioni i forcave pjesëmarrëse në luftë atë ditë çlirimi nga pushtuesit nazistë. Çfarë ndodhi me kolaboracionistët, ballistët e forcat e legalitetit kur shtabi qendror i ushtrisë nacionalçlirimtare dhe forcat partizane hynë si triumfatorë të fitores së luftës në Tiranë. A kanë bashkëpunuar forcat e ballit e të legalitetit me nazifashistët dhe cili është roli i Enver Hoxhës në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.