Pastrimi i Parave: 9 milionë euro të sekuestruara gjatë 2017-s

26 Mars 2018, 15:08 | Përditesimi: 26 Mars 2018, 15:08

Pastrimi i parave ishte tema kryesore e diskutimit sot në Komisionin e Sigurisë, ku raportoi kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave për vitin 2017. Drejtori i këtij institucioni, Arlind Gjokutaj, deklaroi se gjatë 2017 janë referuar 401 raste të dyshuara për pastrim parash, janë lëshuar 52 urdhra bllokimi për 11.2 milionë euro, ku janë sekuestruar rreth 9 milionë euro.

Gjithashtu, Gjokutaj deklaroi se janë verifikuar rreth 7000 persona për aktivitet të dyshimtë për pastrim parash.

"Viti 2017 ka qenë intensiv për institucionin tonë. Çështjet që meritojnë vëmendje: Vlerësimi nga komiteti Manival për pastrimin e parave. Jemi në një fazë të avancuar. Procesi përfshin institucione të rëndësishme, si BB, AMF, prokuroria, policia, Doganat, Tatimet, Ministria e Jashtme, etj. Para muajit korrikut do të kemi raportin, procesi është në vijim.

Bashkëpunimi me Prokurorinë, Policinë dhe SHISH. Ka elementë për të rregulluar. Kemi referuar 401 raste të dyshuara për pastrim parash. Gjatë viti 2017: 52 urdhra bllokimi për 11.2 milionë euro dhe janë sekuestruar rreth 9 milionë euro. Kemi bashkëpunim të drejtpërdrejtë me KPK, si dhe kemi shkëmbyer informacione me ndërkombëtarët në nivel Shërbimi Inteligjent. Kemi verifikuar rreth 7000 persona për aktivitet të dyshimtë për pastrim parash".

b.ha./Shqiptarja.com