Pasuri me bakshishe nga bingo/ Rrezikohet karriera e ish-shefit të SHÇBA në Policinë e Shtetit

5 Nëntor 2019, 18:17

TIRANË- Puna e dy dekadave më parë si menaxher në një sallë bingoje dhe të ardhurat e fituara aty rrezikojnë të djegin karrierën e ish-shefit të inspektimit pranë Shërbimit të Çështjeve dhe Ankesave në Policinë e Shtetit Oltion Shehu, sot inspektor ankesash në Drejtorinë e Tiranës pranë SHÇBA-s.

Shehu ishte i pari që hapi siparin e Vettingut në radhët e uniformave blu, ndërsa në seancë ai u përfaqësua edhe me avokat.

Në lidhje me kolonën e integritetit moral, ai rezultoi i pastër pa kontakte me botën e krimit ndërsa në lidhje me pasurinë rezultoi se nuk justifikonte të ardhurat për ndërtimin e një banesë dy-katëshe. Edhe nga ana profesionale sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, Shehu rezultoi me probleme pasi ndaj tij kishte dy herë masë administrative të vërejtje nga eprorët.

Për të justifikuar pasurinë e tij Shehu tha se këtë profesion e ka ushtruar prej vitit 1996 deri në vitin 2003 pa e ditur se aty kishte qenë i pasiguruar, por sipas tij kishte fitime të mëdha edhe për shkak të bakshisheve.

Por si e shohin policët Vettingun?
Kreu i sindikatës së Policëve, Sadetin Fishta tha pas kësaj seance se e rëndësishme është të verifikohen si i kanë fituar gradat dhe çfarë pastërtie figure kanë. Ai shkoi e më tej duke thënë se në polici ka njerëz për të cilët gjykata ka vendosur përjashtimin nga detyra por ata mbahen në punë.

"Ka dhe nga ato që dhe pse ndaj tyre ka vendim gjykate, vazhdojnë të jenë në polici", u shpreh Fishta. 

Seanca e dytë e Vettingut në polici do të jetë me numrin dy të SHÇBA, Adriatik Ago më 8 nëntor. Trupa e vlerësimit përbëhet nga Ana Kapaj, Elvira Daberdaku, Elida Liko. Pas listës së parë me 45 drejtues të Policisë së Shtetit është zbuluar edhe lista e dytë me emrat që do t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut. Në listën e dyta janë 47 emrat e radhës që do të rivlerësohen, ku shumica e tyre janë drejtues të policive në qarqe.