Pasuria 2019/ Erinda Balanca me vilë në ‘Rolling Hill’, Guvernatori Sejko 130 mijë € paga vjetore

8 Gusht 2020, 22:18

Shqiptarja.com sjell ekskluzivisht ndryshimet në pasurinë e krerëve të institucioneve të pavarura për vitin 2019. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bashkë me bashkëshorten Elona Sejko, gjatë vitit 2019, deklarojnë 16 529 326 lekë të ardhura vetëm nga pagat ose rreth 130 mijë euro. Sejko është zyrtari me pagën më të lartë në Shqipëri. Ai deklaron 5.5 milionë lekë pagë, 2.6 milionë lekë honorare dhe 6.8 mijë euro dieta, ndërsa bashkëshortja 8 milionë lekë pagë ose rreth 64 mijë euro. Elona Sejko deklaron se ka blerë edhe një makinë tip Audi për 55 mijë lekë. Më parë çifti ka deklaruar apartament 104 m2 në Tiranë, apartament 65 m2, apartament 70 m2, apartament 136 m2 në Durrës, truall 238 m2 në Durrës, Elona Sejko 25% e një apartamenti 69 m2, 25% e një trualli me 4 420 m2 në Sarandë, depozitë 260 mijë euro, depozitë 75 mijë dollar, 37 532 euro etj.

Avokatja e Popullit, Erinda Balanca, gjatë vitit 2019, deklaron rreth 80 mijë euro të ardhura. Konkretisht, Balanca deklaron 3.6 milionë lekë pagën si Avokate e Popullit, 4 mijë euro dhe 480 USD dieta, 8.7 mijë euro të ardhura nga qiratë si dhe 39 mijë euro të ardhura nga kompania ‘E 4 Legal’. Ndërkaq, Balanca vijon të shlyejë disa kredi 173 mijë euro, 100 mijë euro dhe 230 mijë euro për blerjen e një vile në fshatin e pasanikëve, në rezidencën ‘Rolling Hills’.    

Më parë, Balanca ka deklaruar si pasuri një shtëpi banimi 603 m2 dhe parcelë 1 547 m2 në Mullet, me vlerë 451 mijë euro, apartament 107 m2 në Rr. Brigada VIII Tiranë, 1/8 e një shtëpie banimi në Tiranë, 1/3 e një apartamenti në Tiranë, apartament 125 m2 dhe garazh me vlerë 150 mijë euro, apartament banimi në Vlorë 92.69 m2 dhe sipërfaqe përbashkëta 14.38 m2, makinë Mitsubishi Outlender 22 mijë euro etj.