Gjyqtari pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Avni Sejdi, i cili me anë të dy vendimeve të kundërta (lexo këtu), të marra brenda 13 ditësh, ka favorizuar shoqërinë EKMA Albania për abuzimin në kurriz të tregtarëve në Tregun Agro-Ushqimor, ka blerë një apartament në Tiranë kryesisht me para dhuratë, hua dhe kursime. Në vitin 2005, gjyqtari deklaron një kontratë për blerje apartamenti në Tiranë me vlerë 4 720 000 lekë, ndërsa nuk jepen të dhëna për sipërfaqen. Si burime të ardhurash për të justifikuar blerjen e apartamentit, gjyqtari Avni Sejdi deklaron 14 mijë euro dhuratë nga vëllezërit.
Po ashtu, deklaron një hua pa afat dhe pa interes në vlerën 1 000 000 lekë, 700 000 lekë kursime në vitin 2003 dhe 2004, 400 000 lekë kredi, 400 000 lekë nga kursimet e pagës të vitit 2005 dhe 1 000 000 lekë është shuma e mbetur e paguar. Gjyqtari thotë se kredinë e ka marrë pranë Raiffeisen Bank në datën 01.08.2005, me qëllim për të kaluar pushime jashtë vendit, por e ka përdorur për të shlyer këstin e apartamentit. Ndërkaq, në vitin 2009, gjyqtari Avni Sejdi deklaron 120 000 lekë të ardhura nga puna e bashkëshortes si dado e pasiguruar.
