Pasuritë e familjes Berisha, Shkëlzeni 80 mijë euro fitim në 2018, mbi 1 milion euro në 4 vjet

25 Maj 2019, 11:56

Fëmijët e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni dhe Argita kanë fituar 14 848 921 lekë ose 120 mijë euro gjatë vitit 2018. Në deklaratën e pasurisë që Sali Berisha ka dorëzuar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasuria, Shkëlzeni deklaron 7 750 000 lekë të ardhura për vitin 2018, konkretisht 6 700 000 lekë nga konsulenca komerciale për një kompani private si dhe 1 050 000 lekë të ardhura nga punësimi në shoqërinë “Albania Legal Company”. Shkëlzen Berisha deklaron edhe 2 281 228 lekë nga puna si konsulent, të faturuara dhe të deklaruara në 2017, por të arkëtuara në 2018. Nëse llogarisim edhe këtë shumë, të ardhurat e Shkëlzenit gjatë vitit 2018 janë 10 031 228 lekë ose rreth 81 mijë euro. Në vitin 2017, Shkëlzen Berisha deklaronte 3 000 000 të ardhura nga konsulenca dhe 959 784 lekë nga punësimi pranë shoqërisë Albanian legal Company. Ndërkaq, në vitin 2016, Shkëlzeni ka deklaruar 600 mijë euro të ardhura nga shitja e një pasurie të paluajtshme që në 2015, 47 956 euro të ardhura nga qiratë, 3 000 000 lekë nga konsulenca juridike dhe të ardhura nga paga 961 956 lekë. Në vitin 2015, Shkëlzeni deklaronte 210 mijë euro të ardhura nga ndërmjetësimi, 47 956 euro nga qiratë, 759 789 nga punësimi dhe 1 000 000 nga konsulenca Juridike. Pra, duke përfshirë edhe shitjen e pasurisë së paluajtshme, gjatë katër viteve, Shkëlzen Berisha deklaron mbi 1 milion euro të ardhura.   

Argita Malltezi   
Argita Malltezi ka fituar 7 098 920 lekë gjatë vitit 2018. Bie në sy që Argita deklaron 28 829 euro ose rreth 3 500 000 lekë vetëm nga qiratë, çka konfirmon një pasuri të paluajtshme të konsiderueshme. Gjithashtu, ajo deklaron 1 086 464 lekë të ardhura nga rroga dhe shpërblime në Fakultetin e Drejtësisë, 1 829 280 lekë të ardhura nga mësimdhënie në fakultete private, 23 937 lekë të ardhura nga interesat dhe 659 240 lekë honorare dhe shpërblime. Më parë, Argita ka deklaruar garazh në Rr. "Lidhja e Prizrenit" shitur për 45 424 euro, apartament 77 metra katrorë në Tiranë, përfituar nga privatizimi, apartament 95 m2 dhe garazh, i blerë duke shkëmbyer me një apartament tjetër dhe 14 mijë dollarë, shtesa anësore e pallatit, 60 m2, apartament plus parking, 188 metra2, vlera 125 mijë dollarë, apartament 141 metra2, vlera 100 mijë dollarë, dyqan 33 metra katrorë, gjysmë vile në Gjiri i Lalzit 56 mijë euro, tokë tre mijë metra2, apartament 120 metra2, vlera 150 mijë euro, apartament 200 m2, vlera 100 mijë euro etj.