Patozi: Tryeza për reformën nuk do të sjellë produkt, zero gjasa për zgjedhje të parakohshme

10 Shkurt 2020, 15:35 | Përditesimi: 10 Shkurt 2020, 15:35

Tryeza për reformën zgjedhore shihet me skepticizëm nga kreu i BD, Astrit Patozi, ku sipas tij nuk do të sjellë një produkt pozitiv në mbyllje të saj. Në një intervistë për Report Tv, Patozi fajëson 2 forcat më të mëdha politike që nuk kanë dëshirë që të gjejnë një zgjidhje për krizën politike. "Fakti që partitë kryesore janë ulur në tryezë për reformën zgjedhore është lajm i mirë, lajm i keq është që sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë një produkt pozitiv, nuk do të prodhojë një rezultat që do të ndryshojë rendin e gjërave në Shqipëri dhe mënyrën se si shqiptarët votojnë. Ruajtja e statuskuosë që duket një qëllim i 2 partive kryesore është ogur i keq për zgjidhjen e krizës" thotë ai.

Po a do të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme? Patozi thekson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë duke fajësuar opozitën e cila nuk e dëshiron një gjë të tillë. "E rëndësishme është që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por gjasat janë zero. Nuk shoh asnjë lloj vendosmërie nga PD, që ti dëshirojë zgjedhjet. Ne do të shkojmë në vitin 2021 në zgjedhje normale dhe fatkeqësisht pa ndryshime  thelbësorë në atë që quhet reforma zgjedhore".

r.k./Shqiptarja.com