‘Pavarësia’ bën bashkë Ramën dhe Metën në Vlorë/ PD feston e ndarë në Tiranë

28 Nëntor 2018, 12:40 | Përditesimi i fundit: 2018-11-28 13:22:13

Dita e sotme është një ditë feste për të gjithë shqiptarët. Si sot, 106 vite më parë, më 28 nëntor 1912, u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë. Autoritetet e larta shtetërore kanë zhvilluar homazhe te "Ushtari i panjohur" në Vlorë. Ceremonitë zyrtare kanë bërë bashkë kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruci dhe presidentin Ilir Meta të cilët kanë vendosur kurora me lule, ndërsa kanë marrë pjesë edhe anëtarë të kabinetit qeveritarë e deputetë. Pjesë e homazheve ka qenë edhe zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli. 

Nga ana tjetër opozita nuk ka udhëtuar në qytetin e Pavarësisë, por ka festuar e vetme në Tiranë. Kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Bujar Nishani si dhe deputetë e mbështetës të opozitës, kanë zhvilluar homazhe te "Varrezat e Dëshmorëve" në kryeqytet. Ndasitë e thelluara politike mes maxhorancës dhe opozitës janë reflektuar edhe te festa kombëtare e shqiptarëve e cila duhet të shërbente si ditë unifikimi. 

106 vjet shtet i pavarur
Ismail Qemali, bashkë me patriotë të tjerë dhe atdhedashës zgjodhën këtë datë për të ngritur flamurin dhe për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo datë është quajtur si “nëntori i dytë”, pasi këtë datë zgjodhi edhe Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu për Clirimin e Krujës në 28 nëntor 1443.

Ditën e sotme, janë parashikuar një sërë aktivitetesh, ndërkohë që presidenti Meta dhe Kryeministri Rama do të jenë në Vlorë në një aktivitet për festimin e 28-nëntorit.

Me rastin e kësaj feste, ka reaguar i pari kryeministri Edi Rama, i cili ka uruar shqiptarët me një foto nga takimi me kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj me duart mbi flamurin kuqezi. Pas Ramës ka reaguar edhe presidenti Meta, i cili ka uruar shqiptarët me rastin e kësaj feste.

    No videos found.