Pavioni COVID në spitalin e Durrësit, Manastirliu: I pajisur me 60 shtretër! Nesër fillon vaksinimi në Shkodër

15 Shkurt 2021, 16:16 | Përditesimi i fundit: 2021-02-15 16:22:01

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka insektuar këtë të hënë pavionin e ri për trajtimin e koronavirusit në spitalin rajonal të Durrësit e cila u hap ditën e sotme. Ky pavion është i pajisur me 60 shtretër për të gjithë personat e infektuar me COVID.

Manastirliu tha se në vijim do të fillojë dhe hapja e pavioneve të tjera në Shkodër, Vlorë, Korçë, dhe Elbasan ku në total do të shtohen 460 shtretër për pacientët e infektuar. Sipas saj, stafet spitalore janë të gatshëm të presin pacientët me COVID.

Është një moment delikat pasi kemi rritje të incidencës. Kemi një mesatare 1130 raste të infektuara. 90% e spitaleve në Tiranë janë të zëna ndaj po shkojmë në hapjen e spitaleve rajonale ku fillojmë nga Durrësi, më pas në Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Do përballemi dhe me sfida se në këtë situatë nuk mund të jetë gjithçka perfektë. Puna nuk po ndalet” – tha Manastirliu.

Ndërkohë për procesin e vaksinimit, Manastirliu deklaroi se me ardhjen e 7020 dozave të tjera nga Pfizer, do të vijojë vaksinimi në Shkodër dhe në Vlorë për të gjithë personelin shëndetësor. Ndërsa për bluzat e bardha të Durrësit dhe Elbasanit do të kryhet në Tiranë.

“Sot hapim Durrësin për trajtimin e COVID përveç trajtimit post COVID. Sot vijnë dhe dozat e tjera të vaksinës Pfizer. Janë 7020 doza që do shpërndahen pa humbur kohë. Ne do fillojmë me Shkodrën dhe Vlorën ndërsa Durrësi dhe Elbasani do vaksinohen në Tiranë. Do jetë vaksinim i kombinuar mes mjekëve dhe të moshuarit në qendra sociale” – tha Manastirliu.