PD 3 propozime për Zgjedhoren: Shkurtim të periudhës zgjedhore në 1 muaj, jo zgjedhje në verë, të ulet financimi nga privati, 30 % gra në lista

26 Maj 2020, 12:24

Opozita e Bashkuar ka shkuar me 3 propozime konkrete në tryezën e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore në takimin e sotëm për financimin e  partive, kuotës gjinore dhe  periudhën zgjedhore. Ajo kërkon uljen e financimit nga privati sa gjysma e financimit nga shteti, kërkon shkurtim të periudhës zgjedhore nga 3 muaj në 1 muaj, zhvendosje të zgjedhjeve në pranverë apo vjeshtë duke shmangur sezonin turistik si dhe rritje të përfaqësimit të femrave, ku thotë se duhet të zënë 30 % të listës.

Opozita kërkon që financimi i partive të bëhet me transparente duke propozuar që të ulet në minimum financimi i partive nga privati, konkretisht të jetë sa gjysma e financimit nga shteti.

"Opozita propozon një ligj që ul në minimum financimin privat të partive dhe eliminon korrupsionin. Ligji i propozuar nga opozita forcon rregullat e transparencës, verifikimit të financimit dhe sanksionet. Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë  partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike.  Në këtë mënyrë eliminohet mundësia e favorizimit të tyre të paligjshëm.  Opozita propozon që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti. Aktualisht, partitë lejohen të shpenzojnë sa 10 herë shuma e financimit publik. Psh. Kur ajo merr nga buxheti 30 milionë lekë, financimi privat do të jetë 15 milionë lekë dhe jo 300 milionë, siç është aktualisht. Ligji shton mekanizmat shtetërorë e kontrollit të shpenzimeve në fushatë, me qëllim eliminimin e përdorimit të parave të pista në zgjedhje. Propozimi është në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare", shkruhet në propozimin e opozitës.