PD akuza Ramës e Veliajt: Kompania e mikut tuaj në Verona, ortake në pastrimin e mbetjeve në Tiranë, nën akuzë për pastrimin e parave të mafies

6 Qershor 2020, 16:36

Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së saj Ina Zhupa, ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se mund të jetë përdorur për të pastruar paratë e një prej klaneve më të rrezikshme mafioze italiane, asaj Ndragheta përmes kompanisë së krijuar nga Erion Veliaj, Eco Tirana.

Zhupa shprehet se kompania e mikut të Ramës dhe Veliajt, Flavio Tosi, ortake në pastrimin e mbetjeve në Tiranë, është nën akuzë për pastrimin e parave të pista të mafias italiane Ndragheta. Zëdhënësja e PD-së thotë se kompania e pastrimit të Veronës, Anima, e cila është ortake me 49% të aksioneve në kompaninë e pastrimit të Tiranës, Eco Tirana, po hetohet në Itali si një kompani që i ka shërbyer mafies së plehrave për pastrimin e parave, duke e bërë edhe funksionimin e saj në Shqipëri të dyshuar kryesore për aktivitet kriminal.