PD: Bie suvaja një godinë te Qyteti Studenti nga punimet jo cilësore! Bashkia: Dëmi, pasojë e tërmetit të 21 shtatorit

28 Tetor 2019, 18:32

TIRANË- Partia Demokratike ka denoncuar se në një nga godinat që janë rikonstruktuar së fundmi në Qytet Studenti ka rënë suvaja. Nëpërmjet ish-deputetes, Oriola Pampuri, PD-ja akuzon kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama se ka vjedhur me tenderin për rokonstruksionin e godinave ku jo vetëm që ka zgjedhur ofertën më të lartë për rikonstruksionin e godinave, ato janë kryer keq dhe kanë vënë në rrezik studentët.

"Një ngjarje e rëndë në Qytetin Studenti, e ndodhur, fatmirësisht, në mungesë të studentëve, po u risjell atyre në vëmendje mashtrimin e madh të Edi Ramës dhe Erion Veliajt për përmirësimin e kushteve të jetësës në konvikte. Rrëzimi i tavaneve në një prej konvikteve që gjoja u rikonsteuktuan pas protestës së studentëve, është treguesi më i qartë i propagandës së rrezikshme të Ramës dhe veliajt. Në vend që të siguronin punime cilësore, siç studentët e meritojnë, kampionët e vjedhjes në Shqipëri bënë shoë me fasadat e godinave ku jetojnë shumica e studentëve. Tani, fasada e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt ka rënë dhe vjedhjes me paratë e studentëve i ka dalë boja vetëm 4 muaj pas rikonstruksionit, të inauguruar me zhurmë të përditshme propagandistik nga kampionët e korrupsionit me fasadat. Dokumentet zyrtare tregojnë se për suvatimin që ka rënë në godinat e studentëve, bashkia e Tiranës ka paguar 200 milionë lekë. Në këtë tender për vetëm 4 godina, si në shumë tendera të Bashkisë së Tiranës, nuk ka fituar oferta më e ulët. Kjo do të thotë se, megjithëse punimet janë kryer me më shumë para, ato janë kryer keq dhe kanë vënë në rrezik studentët.  Me 200 milionë lekë, të hedhur në bojën e propagandës së Edi Ramës dhe Erion Veliajt, jeta e studentëve nuk është bërë më e mirë që nga protesta e 10 muajve më parë", akuzon PD-ja.

I menjëherëshëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës e cila e mohon një akuzë të tillë, ku sipas tyre rënia e suvasë nuk ka qenë për shkak të punimeve jo cilësore, por për shkak të tërmetit të 21 shtatorit. Duke e konsideruar si një deklaratë qesharake nga PD, Bashkia sjell aktin e ekspertimit nga Inspektorati i Ndërtimit të godinave të konvikteve.

"Pas tërmetit të fortë të 21 Shtatorit, në Qytetin Studenti ka patur dëme minimale, të tipit plasaritje suvaje, se në shumë ndërtesa në zonën e prekur nga tërmeti. Bashkia e Tiranës kërkoi një verifikim të specializuar të dëmtimeve nga Instituti i Ndërtimit, i realizuar më datë 27 Shtator 2019, i cili konstatoi dëme në rifiniturat e objektit, si plasaritje dhe çarje të suvatimeve, pa probleme për strukturën mbajtëse të godinës. Bashkëlidhur gjeni edhe aktin e ekspertimit nga Inspektorati i Ndërtimit. Gjate këtij viti, Bashkia e Tiranes ka investuar dhe ndërhyrë në të gjitha godinat e Qytetit Studenti, për herë të parë që nga viti 1989, kur ato u ndërtuan. Investimet përfshijnë rikonstruksionin, suvatimin, meremetimin dhe lyerjen e 600 dhomave dhe fasadave në 7 konvikte (godina nr. 5, 20, 21, 26, 27, 27, 28) që kapin vlerën e 170 milion lekëve. Po ashtu, me ndihmën e donatorëve janë rikonstruktuar plotësisht 396 nyje sanitare; 335 ambiente higjiene (dushe), nga të cilat 135 janë ambiente të reja në 13 konvikte; si dhe, 13 salla të reja studimi.

Por, sot një fake neës i qëllimshëm i medias pranë Partisë Demokratike, nxorri në një konferencë absurde një zëdhënëse të PD, për të mashtruar për herë të dytë brenda ditës shqiptarët. Studentët, por edhe qytetarët e Tiranës, duhet ta dinë se gjatë qeverisjes së PD në vitet 2005-2013, investimi i vetëm i tyre për Qytetin Studenti është lyerja me gëlqere e mureve të godinave dhe asgjë më shumë", njofton Bashkia e Tiranës. 

    No videos found.