PD denoncon Ramën: I jep koncesionin prej 5 vitesh një kompanie ofshore kalatën e Portit të Durrësit

6 Janar 2021, 15:52

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po jep kalatën e Portit të Durrësit një kompanie ofshore që nuk i njihet pronari për 30 milionë euro. Taku shprehet se pak muaj para zgjedhjeve Rama i ka dhënë me koncesion për 5 vjet për 30 milionë euro kompanisë “Hili Company Limited”.

Sipas Tabakut kompania operon në Maltë dhe njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimtë nga skandali i “Panama Papers”, ndërsa administratori i kompanisë është hetuar në Maltë për pastrimin e parave dhe për mekanizma të ngjashëm.  

"109 ditë para largimit, Edi Rama po lë pas tokën e djegur. Radha i ka ardhur Portit të Durrësit, një aferë korruptive 30 milionë euro, që ne e denoncuam 2 muaj më parë.

Njerëzit e papunë, të rinjtë që po e braktisin vendin se Rama nuk u la as edhe një mundësi për të shpresuar, biznesi dhe shtresa e mesme të rrjepur nga taksat nuk janë asgjë për Edi Ramën.

Edi Rama mendon vetëm për Edi Ramën, prandaj edhe një nga kalatat e Portit të Durrësit, i është dhënë me koncesion për 5 vjet një kompanie ofshore, pronarët e të cilës fshihen në parajsa fiskale.

Edi Rama ka detyrimin t’u thotë sot shqiptarëve kujt ia ka dhënë me koncesion kalatën e Portit të Durrësit për të futur në xhep 30 milionë euro nga taksat.

109 ditë para largimit Edi Rama nuk mund t’u fshihet më shqiptarëve.

Ata e dinë dhe e ndijejnë në lëkurë se për 8 vjet me radhë ky kryeministër i gënjeu, i mashtroi, shkatërroi ekonominë, rriti koston e jetesës dhe papunësinë.

Kur të votojnë në 25 prill, qytetarët do të kenë në listën e grabitjeve të taksave të tyre nga qeveria edhe Portin e Durrësit.