PD divergjenca me LSI për skemën e financimit të partive/ Kaso: PS-ja s'e kundërshtoi

19 Nëntor 2019, 14:04

Prononcimi i plotë i Ivi Kasos
Opozita i përgjigjet pozitivisht cdo ftese të partnerëve për të marrë pjesë në një tryezë që synon të japë zgjidhje të vërteta. Financimi i partive kërkon kontributin e të gjitha palëve. Propozimet janë detajuar edhe në nivel teknik dhe së shpejti nga ekspertët e opozitës së bashkuar në funksion të punës që mblidhen në selinë e PD do të materializohen me një draft konkret. Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre me pikat e dobëta që lidheshin me financimin dhe që duhet të adresoheshin. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre për 100% të financimit publik. I takon klasës politike që të miratohet dhe zbatohet.

LSI kërkon sistem miks?
Është edhe diskutim i brendshëm dhe qëndrim që kemi shprehur sot, që e rëndësishme është që të kufizohet dhe monitorohet. Propozimi ynë është drastik. Për sensibilitetin e aleatëve jemi shprehur gati për të diskutuar edhe formula të tjera, por qëllimi është të shkojmë drejt financimit 100% publik.

Po qëndrimi i shumicës?
Nuk është se ka shprehur ndonjë qëndrim të qartë. Fjala e mbajtur nga përfaqësuesja e shumicës, Gjylameti nuk e preku cështjen e financimit si duhet të ishte dhe nuk pati ndonjë reagim ndaj propozimit tonë. Nuk vërejta ndonjë mbyllje nga PS-ja.

Do ishit gati për zgjedhje me këtë reformë?
Mesa jam informuar Basha ka folur për zgjedhje të parakohshme, është qëndrim i konsoliduar nga opozita, që nesër, por reforma nuk mbaron nesër. Opozita ka përfunduar procesin e riorganizmit dhe ka besimin e shqiptarëve. Opozita me anë të ekspertëve do të bëjë cfarë është e mundur që propozimet e saj të detajuara të jenë në dispozicion të publikut sa më parë që të jetë  e mundur. Hapat e tjerë të miratimit formal që duhet të kalojë reforma dalin tej mundësive tona dhe nuk mund të parashikojmë.