Si e komenton mazhoranca vendimin e liderit demokrat Lulzim Basha për t'i propozuar grupit të tij parlamentar djegien e mandateve të deputetëve?!
Musa Ulqini deputet i Partisë Socialiste thotë se mandatet janë të popullit dhe se verdikti i qytetarëve duhet të respektohet.
"Edhe partia ime ka provuar forma jashtë parlamentit dhe asnjëherë nuk ka funksionuar. Mundësitë maksimale janë brenda parlamentit", u shpreh Ulqini pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Ndërkohë, deputeti Arben Kamami thotë se edhe nësë digjen mandate e opozitës, nuk krijohet asnjë problem. "Mandatet do t'i pranojnë ata që vijnë pas tyre në listën e kandidatëve të PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit 2017", u shpreh Kamami për mediat.
Pjerin Ndreu, deputet socialist, thotë se Kuvendi është funksional pasi ka mazhorancë.
"Parlamenti është i shumicës. Ne kemi mazhorancën dhe Kuvendi është funksional", u shpreh ai.
PS ka 74 mandatet e marra në Qershor 2017 dhe numrat e 3 ish-deputetëve të PDIU dhe një të PSD, që shkon në 78 mandate, të mjaftueshme formalisht për ecurinë e punimeve të Kuvendit.
Ndërkohë në mbledhjen e grupit të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ai ju drejtua deputetëve: Vijoni punën për zgjedhjet lokale pavarësisht se çfarë bën opozita
Dje lideri demokrat Basha tha se ka vendosur t'i kërkojë grupit të PD-së të djegin mandatet me planin e mëtejshëm sipas tij, për ta çuar vendin në qeveri tranzistore dhe zgjedhje të parakohshme. Një vendim që Basha e shpalli pas protestës së opozitës së bashkuar të shtunën para kryeministrisë.