PD e ka kusht të panegociueshëm, Gjosha në Report Tv: LSI nuk e ka problem të hyjë dhe vetëm në zgjedhje, pa koalicione

3 Shtator 2020, 18:44

Ish ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në një intervistë për Report Tv për gazetarin Besard Jacaj bëri të ditur se LSI nuk e ka problem dhe as frikë faktin se mund të hyjë e vetme në zgjedhjet parlamentare dhe pa koalicione, ndryshe nga PD që në fakt e ka një kusht të panegociueshëm.

"Për ne ka rëndësi data e zgjedhjeve dhe jo nëse do të hyjnë në koalicion apo të vetëm. LSI e ka provuar të hyjë e vetme në zgjedhje edhe kur të dy forcat politike kanë qenë mjaft të ashpra ndaj nesh në 2017. Ndaj nuk na fiksojnë përballjet të tilla. Gjendja në një koalicion mund të ishe më e favorshme, por sigurisht që nuk na tremb fakti që të shkojmë të vetëm në zgjedhje", tha Gjosha.

Nëse i tremben se mund të marrin më pak vota në zgjedhjet e ardhshme, Gjosha shprehu bindjen se LSI ka një bazë të qëndrueshme votash dhe se në 2021 ato do të rriten më shumë  duke forcuar dhe rëndësinë e kësaj force politike.

 "Ne do të jemi një forcë e rëndësishme dhe këtë do e diktojnë edhe votat, ajo që do të imponohemi është programi dhe ka disa pikat që janë të pacegociueshme si integrimi në BE, rinia, roli i gruas, punësimi dhe arsimi cilësor. Këto janë pika të pazëvendësueshëm për programin tonë. LSI ka një bazë të qëndrueshme votash që i ka pasur që në krijimin e  saj, nuk do të ketë lëvizje të tyre, por shpim pa diskutim", tha Gjosha.