PD e LSI nisin mbledhjen e firmave për t’u regjistruar në zgjedhje, refuzojnë ‘mëshirën’ e deputetëve të opozitës së re

20 Janar 2021, 20:48 | Përditesimi i fundit: 2021-01-20 20:49:47

Partia Demokratike, LSI dhe partitë e tjera opozitare jashtë parlamenti nisin mbledhjen e firmave për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.   Lënia e mandateve i detyron këta parti që para se të garojnë për t’u rifutur në Kuvend, të mbledhin firma të mbështetësve të tyre.

Konkretisht, neni 68, pika 1 e Kodit Elektoral kërkon mbledhjen e 5000 firmave nëse do të garojnë në lista të veçanta dhe 7000 firma nëse do të futen në zgjedhje  me një listë të përbashkët.

“Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 5 000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 7 000 zgjedhësve në shkallë kombëtare. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni, ku partitë  pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit” thuhet në Kodin Zgjedhor.

Ndonëse disa ditë më parë, në vetdeklarimin e tyre, deputetët e opozitës së re Korab Lita dhe Gjetan Gjetani janë regjistruar si deputetë përkatësisht të PD e LSI, cka do të shmangte procesin e mbledhjes së firmave, këta forca politike duket se nuk do të pranojnë ‘mëshirën’ e atyre që refuzuan djegien e mandateve.

Burime brenda opozitës thanë se nuk do ta shmangin procedurën e mbledhjes së firmave pasi nuk njohin parlamentin aktual.