Partia Demokratike ka vijuar edhe sot akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe vëllait të tij, Agron Xhafaj. Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe ish-ministri i PD, Gamzend Bardhi, deklaruan sot se Fatmir dhe Agron Xhafaj janë subjekt të ligjit ‘Antimafia’, duke shtuar se ministri nuk e zbaton ligjin ‘Antimafia’ ndaj vëllait të tij të dënuar për drogë.
Përveç ministrit Xhafaj dhe mos reagimit të tij, dy zyrtarët e PD sulmuan sot dhe kryeprokuroren Arta Marku, duke thënë se i është bashkuar heshtjes së ministrit. Sipas tyre, Marku ka vendosur të mos i shohë veprat penale të kryera nga ministri, pasi është vendosur aty nga kryeministri Edi Rama, në shkelje të Kushtetutës dhe pa Vetting.
Deklarata e plotë e Alibeajt dhe Bardhit:
Hshtjes së Fatmir Xhafajt, ka vendosur t’i bashkohet edhe Arta Marku. Faktet dhe provat që tregojnë se Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kryer veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, janë përpara syve të çdo shqiptari.
E vetmja që ka vendosur të mos i shohë është Arta Marku. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: ajo është vendosur aty nga Edi Rama, në shkelje të Kushtetutës dhe pa veting, pikërisht për të garantuar mbrojtjen e korrupsionit të qeverisë Rama.