PD i çon një tjetër emër kryebashkiaku Prokurorisë: Agron Malaj, i dënuar për armëbajtje pa leje

16 Janar 2020, 12:19 | Përditesimi i fundit: 2020-01-16 16:37:54

TIRANË- Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë që të hetojë një tjetër emër kryebashkiaku të PS të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi me anë të një deklarate në seli i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës që sipas tij është kriminale të isht -gardistit Agron Malaj, që sot është kryetar bashkie në Burrel. 

Sipas Bardhit, Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik pasi sipas tij është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbatje pa leje dhe sipas ligjit për demkriminalizimin i ndalohet kandidimi për jetë në një funksion publik. 

Bardhi publikoi edhe vendimin e Gjykatës, ku në të thuhej se Malaj ishte dënuar 10 muaj heqje lirie. 

“Sot PD i ka kërkuar zyrtarisht prokurorisë verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Matit. Agron Malaj i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe i ndalohet kandidimi përjetë për një funksion publik. PD i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas KQZ të veprojë pa asnjë vonesë për administrimin e vendimit zyrtar të gjykatës së Matit dhe heqjen e mandatit për kreun e bashkisë së Matit Agron Malaj”, tha Bardhi.