PD insiston: Sot në mesditë do arrestohej Vangjush Dako, pse u kthye mbrapsht urdhri?

24 Tetor 2018, 18:19

Partia Demokratike ka akuzuar pasditen e sotme Prokurorinë e Krimeve të Rënda, se ka anuluar urdhër arrestin për Vangjush Dakon. Në një konferencë për mediat, deputeti i PD-së Flamur Noka është shprehur se sot është urdhëruar anulimi i arrestimit të Dakos.

Sipas Nokës, sot në mesditë do të arrestohej kryebashkiaku i Durrësit, por ndërhyrjet e fuqishme politike kanë bërë që të anulohej urdhëri. Sipas tij, ‘nuk mund të prishet dosja, nuk mund të fshihen përgjigjet e bëra’. 

Deklarata e plotë e Flamur Nokës:

Me një prokurori që nuk do të ishte nën urdhrat politikë të Edi Ramës, sot, Vangjush Dako duhet të ishte në burg.  Kyetari i Bashkisë së Durrësit është pjesë e dosjes me numër 339, njësoj si miqtë e tij kriminelë - trafikantë droge apo si dy ish-deputetët  e Partisë Socialiste, që sot janë prapa hekurave për të shpëtuar më të rëndësishmin e dosjes 339, Vangjush Dakon. 

Ka të paktën 24 orë që fletë arresti për Vangjush Dakon është prerë, por ekzekutimi I tij është bllokuar. Prokuroria duhet t’u japë shqiptarëve dy përgjigje të thjeshta: Pse është kthyer mbrapsht urdhri për arrestimin e Vangjush Dakos sot në mesditë? Kush po ndërhyn që Vangush Dako, “xhuxhi”, siç e quajnë kriminelët e tij, të mos arrestohet në bazë të përgjimeve të dosjes 339? Kryetari i Bashkisë së Durrësit është peshku i madh i dosjes 339 dhe përpjekjet për të shpëtuar Vangjush Dakon janë të pashpresa! 

Askush nuk duhet të guxojë të prishë provat e përgjimit të Vangjush Dakos me kriminelët më të rrezikshëm të Durrësit! Çdo përpjekje për prishjen e provave, për zhdukjen e përgjimit apo për fshirjen e faqeve të transkriptuara të Vangjush Dakos me kriminelët është krim i rëndë, që paguhet me burg të gjatë. Askush nuk mund ta zhbëjë të vërtetën se kriminelët e Durrësit e të Shijakut kanë blerë vota për pushtetin e Vangjush Dakos dhe Edi Ramës dhe, si shpërblim, kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera miliona eurosh. 

Këtë fakt e denoncoi një vit më parë Lulzim Basha. Për këtë fakt, e paditi për shpifje Vangjush Dako. Me këtë fakt, me dosjen me numër 339, Lulzim Basha fitoi gjyqin. Paditë shterpë kundër opozitës dhe propaganda e lodhur se gjoja po luftohet krimi, pa arrestuar asnjë bos të krimit, janë në funksion të mbulimit të së vërtetës: se Edi Rama është peng i krimit të organizuar, i cili po qeveris dhe po pasurohet bashkë me Edi Ramën!

    No videos found.