Partia Demokratike, me anë të ish-deputetes Jorida Tabaku ka bërë kryeministrin Edi Rama, si shkaktarin kryesorë të varfërisë në vend, teksa ka deklaruar se vendi ynë është i pari në Ballkan për korrupsion.
Në fjalën e saj për mediat, nga selia blu, ish-deputetja ka sjellë në vëmendje raportin e DASH, FMB dhe BE, sipas së cilës vendi ndodhet mes të tjerave edhe në një krizë të thellë ekonomike dhe se papunësia ka arritur në shifra alarmante. Duke cituar këto raporte,ajo ka sjellë edhe motivet se përse vendi ndodhet në këtë krizë, ku ndër më kryesoret liston presioni politik për kontraktorët, ndryshimi i shpeshtë dhe i pakonsultuar i ligjeve, kalimi i ligjeve klienteliste.
Në fund, ka sjellë edhe zgjidhjen e kësaj krizë që do ofron PD-ja.
Deklarata e plotë
Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar të Ballkanit; vuan nga varfëria e shtuar dhe papunësia e rritur, rkonomia lëngon sepse vendi nuk është aspak tërheqës për investimet e huaja! Ky është konkluzioni i 3 raporteve të njëpasnjëshme këto ditë nga Departamenti i Shtetit,
Nga FMN dhe nga BE lidhur me krizën që po kalon vendi. Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor, sipas raportit të Klimës së Investimeve për vitin 2019 publikuar nga Departamenti i Shtetit. Qeveria është kthyer në një gjobëvënës të madh karshi sipërmarrësve të huaj. Qeveria është pengesë kryesore për ekonominë cka nis që me vendosjen e gjobave anti-ligjore e deri tek votimi i ligjeve dhe rregulloreve të “vështira për t’u interpretuar dhe jo konsistente, si mjete për të mënjanuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën,” konstaton Departamenti i Shtetit në raport.
Vendi lëngon në thatësirën ekonomike dhe të investimeve të huaja, shqiptarët vazhdojnë të vuajnë nga varfëria dhe papunësia është rritur. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit përshkruan arsyet se përse ekonomia shqiptare është e izoluar dhe pa investitorë të huaj. Raporti vlerëson se shkaqet janë korrupsioni, presioni politik për kontraktorët, ndryshimi i shpeshtë dhe i pakonsultuar i ligjeve, kalimi i ligjeve klienteliste. Bizneset e huaja pohojnë se qeveria ndërhyn tek ato për ti detyruar që të ndërmarrin nënkontraktor të caktuar të lidhur me qeverinë. Raporti citon problemet me të cilat përballet Shqipëria me projektet PPP që e janë të pastudiuara dhe të pakonsultuara.
Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe e drejta e pronës, raporti vlerëson se pronarët nuk marrin pronat e tyre të tjetërsuara nga regjimi komunist. Është rasti i vetëm në botë ku shumë prej investorëve amerikanë janë larguar nga Shqipëria si pasojë e këtyre problemeve jetike. Raporti i FMN evidenton problemin kyç të ekonomisë sonë gjatë qeverisjes Rama, mungesën totale të një plani dhe vizioni ekonomik. Të dhënat e paraqitura nga FMN tregojnë se gjatë intervalit 2015-2019 mosha e re ka rënë me 0,6% ndërsa mosha e tretë është rritur me 12%. Kjo vjen si pasojë e rritjes së numrit të shqiptarëve që largohen nga Shqipëria. Një vend që plaket, që varfërohet nga të rinjtë, që nuk ka një vizion ekonomik dhe që zhytet më thellë në gropën e korrupsionit ka prodhuar një ekonomi të dobët pa mundësi reale punësimi dhe mirëqenie. Prej 6 vitesh me radhë, të vetmet investime të huaja janë ato të tashëguara nga qeverisja demokratike.
Situata ekonomike e vendit është edhe më tragjike në krahasim me vendet e rajonit. Në raportin e fundit të Bashkimit Europian, rezulton se ne kemi rritjen ekonomike më të ulët në Ballkan. Edhe kjo vetēm falë shiut dhe eksportit të energjisë, pra pa krijuar vende të reja pune. Shqipëria po zbrazet nga të rinjtë, sipërmarrja nuk gjen terren dhe liri për të lëvizur, vendi është drobitur nga korrupsioni dhe grabitjet e oligarkëve me qeverinë Rama. Konkurrenca e ndershme dhe tregu i lirë janë zhdukur. Për Partinë Demokratike sfida jonë e parë për ekonominë e lirë dhe konkurencën e ndershme është lufta kundër monopolove, kundër oligarkisë dhe klientelizmit, kundër kapjes së ekonomisë. Beteja jonë kundër oligarkisë, duke anulluar ligjet me emër oligarku miratuar nga qeveria Rama dhe hetuar dhe anulluar çdo kontratë korruptive PPP-je, do të jenë masat e para që Partia Demokratike do të ndërmarrë që në ditët e para të qeverisjes.
Programi pro punësim dhe pro-biznes i PD parashikon vendosjen e taksës së sheshtë prej 9%, rregullimin i politikave fiskale në favor të një plani pro-biznes që do t’i japë frymëmarrjen e nevojshme ekonomisë sonë. Ne do të angazhohemi në uljen e burokracisë dhe lehtësimit të procedurave sipërmarrëse. Në betejën për të siguruar punësim me paga dinjitoze ne do të luftojmë për të qenë sa më mikpritës ndaj investitorëve të huaj, duke ofruar garanci më të mëdha në fushën e taksave, sigurisë ekonomike, investimeve në infrastrukturë dhe trajnimin e forcës punëtore. Partia Demokratike do të luftojë për cdo investitor të huaj e për cdo vend të ri pune!
Sot ka vetëm një përgjegjës për korrupsionin, kriminalitetin, vjedhjen e zgjedhjeve, rënien ekonomike dhe mbylljen e bizneseve. Ai është Edi Rama! Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa rregulla, pa drejtësi. Në Shqipëri mbretëron një njeri i vetëm. Të gjitha pushtetet i ka Edi Rama. Ai kontrollon pasuritë dhe paratë e shqiptarëve. Në Shqipëri nuk udhëheq interesi i njerëzve, por sundon vullneti i Edi Ramës. Ne, nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të luftuar tiraninë dhe autokracinë. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të rikthyer tregun e lirë dhe iniciativën e lirë në duart e shqiptarëve. Nuk do të bëjmë asnjë hap pas deri në largimin e Edi Ramës!