PD nxjerr dokumentin: Qerim Ismailaj i dënuar me 3 vite burg në Greqi

10 Janar 2020, 14:12

TIRANE-Partia Demokratike ka publikuar një dokument ku pretendon se është dëshmia e penalitetit të kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj, ku rezulton se është dënuar në mungesë nga drejtësia greke më datë 25 Shkurt të vitit 2000 me 3 vite burg për plagosje, ngjarje e ndodhur në 1999.

"Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek.Sipas ligjit të dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funskion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit" thotë PD-ja.

Pas denoncimit të PD-së, gazetari i Report Tv Arsen Rusta mëson se sektori i dekriminalizimit në prokurorinë  e përgjithshme është vendosur në lëvizje duke nisur verifikimet. Organi i Akuzës i ka kërkuar ministrisë së Drejtësisë që të sigurojë dosjen e Ismailajt nga drejtësia greke, ndërsa letërporosia pritet që të niset drejt Athinës të hënën. Prokurori Adnan Xholi ka firmosur shkresën ku i kërkon Ismailajt që të paraqitet për të dhënë shenjat e gishtave.

Dy ditë më parë Ismailaj reagoi duke thënë se gjithçka që ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit është e vërtetë dhe se nuk është arrestuar apo ndaluar asnjëherë nga policia greke. Lidhur me datën 25 shkurt 2000, Ismailaj shprehet se ka qenë duke në punë si mësues në shkollën 8-vjeçare "I.Shehu", Corrush.

Ky është denoncimi i katërt i PD-së për kryebashkiakët e PS-së, pas Valdrin Pjetrit të Shkodrës që u largua nga detyra, pasi i doli dënimi në Itali, Agim Kajmakut të Vorës që i doli dënimi në Greqi, gjithashtu selia blu kërkoi verifikimin e Mark Babanit të Vaut të Dejës dhe tani rasti i Mallakastrës.