PD: Paketa sociale, e pamjaftueshme! 17 ditë pas shpërthimit të epidemisë

27 Mars 2020, 11:56

TIRANË- Partia Demokratike shprehet se plani ekonomik nuk u jep një zgjidhje reale dhe është i pamjaftueshëm për të ndihmuar të gjithë familjet në nevojë apo bizneset e prekura nga koronavirusit.

Nëpërmjet ish-deputetes, Jorida Tabaku, PD kërkon që qeveria duhet të bëjë një plan të qartë dhe konkret se cilët qytetarë dhe pronarë biznesesh përfitojnë nga ndihma ekonomike. Tabaku thekson se në këto ditë, qeveria duhet të anulojë çdo transaksion që nuk u shërben qytetarëve deri në kalimin e krizës dhe mbi të gjitha të bëjë transparencë. 

Cilat janë bizneset e vogla që përfitojnë; Kush janë personat qe do të marrin pagesë papunësie; Kush janë personat qe do të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike", janë tre pyetjet që PD-ja kërkon përgjigje nga kryeministri Edi Rama.

"Në emër të Partisë Demokratike dua të ndaj me ju shqetësimin për mungesën e tranparencës për ndihmën e parashikuar për shtresat në nevojë dhe për ekonominë. Ndonëse u premtua disa herë se ishte gati vendimi i Këshillit të Ministrave që detajonte rregullat për përfitimin e ndihmës nga kategoritë që përfshihen në Aktin Normativ të miratuar të dielën, ende nuk është publikuar asgjë. 17 ditë pas rëndimit të krizës, pse nuk ka ende një VKM për pagesat që u lajmëruan nga Qeveria?! Pse nuk bëhet e ditur lista e plotë e përfituesve nga kjo pagesë, që qytetarët të kenë mundësi të shohin nëse janë apo jo përfitues? 

Kush janë bizneset e vogla që përfitojnë? Kush janë personat qe do të marrin pagesë papunësie?  Kush janë personat qe do të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike? Dua ta përsëris me forcë. Paketa sociale e miratuar nga Qeveria është e pamjaftueshme. Mijëra familje në nevojë apo biznese nuk përfitojnë prej saj.  Sot llogariten rreth 65-80 mijë biznese të mbyllura, pa asnjë aktivitet si pasojë e masave të marra nga epidemia. Rreth 35 mijë, në rastin më të mirë, nuk janë përfshirë në paketën sociale të Qeverisë. Çfarë do të ndodhë me ta? Kush kujdeset për ta?  Çfarë do të bëhet me mbi 70 mijë familje që i kanë hequr nga ndihma ekonomike dhe nuk janë përfitues të skemës së Qeverisë?