Partia Demokratike paralajmëron shfaqje dhunë në protestën e së shtunës më 16 janar. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, tha se nëse do të blllokohen dy akset kryesore kombëtare që lidhin Tiranën me Veriun dhe me Jugun e vendit, atëherë protestuesit do t'i heqin me dhunë pengesat e vëna nga policia.
Bardhi përmendi shembullin e zonës së "Astirit" ku banorët protestues kundër projektit të Unazës së Madhe larguan me dhunë makineritë e kompanisë private që do të ndërtojë rrugën.
Deklarata
Edi Rama, kryeministri më i vetmuar në Europë, po bën çdo përpjekje për të ngadalësuar fundin e tij me protestën e 16 Shkurtit.
Pasi dështoi me përdorimin qesharak të policisë, që i njihte kriminelët në protestë, por nuk i arreston ata, sot ka përdorur një makinacion edhe më qesharak - ka urdhëruar bllokimin e dy akseve kryesore kombëtare që lidhin Tiranën me Veriun dhe Jugun e Shqipërisë.
I vetmuari Edi Rama mendon se duke bllokuar autostradën Tiranë Durrës dhe rrugën Tiranë Kamëz, do të mund të pengojë gjysmën e Shqipërisë të vijë në Tiranë e të protestojë kundër qeverisë së tij të kapur në vjedhjen e zgjedhjeve dhe në vjedhjen e qytetarëve të saj.
• Teknikisht, nuk ka asnjë motiv për bllokimin e autostradës dhe rrugëve të tjera kombëtare.
• Teknikisht, nëse do të ishte vërtet e nevojshme dhe jo një vendim në kushtet e panikut, qytetarët duhet të ishin lajmëruar disa ditë më parë, siç është vepruar në raste të tjera.
• Politikisht, Edi Rama ka frikë.
I ka bërë prapë llogaritë gabim! Edi Rama dhe kushdo tjetër që pranon të përdoret në këtë skenar është i pafuqishëm të ndalë shqiptarët të vijnë në protestë!
Po paralajmërojmë që tani çdo kompani ndërtimi që të mos nxjerrin në rrugë asnjë makineri dhe të mos bëjnë asnjë veprim që cënon lëvizjen e lirë të protestuesve drejt Tiranës! Përndryshe fati i tyre është i njohur! Qytetarët do t’i heqin pengesat me mënyrat e tyre, njësoj siç bënë banorët e Unazës së Re!
Për çdo pasojë që sjell zbatimi i këtij skenari që pengon protestën e 16 Shkurtit, Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi.
Shqiptarët do të jenë në Tiranë të shtunën! 16 shkurti është protesta që do t’I japë fund një pushteti të blerë me votat e krimit, një qeverie të kapur në vjedhjen e zgjedhjeve dhe në vjedhjen e qytetarëve të saj.
Makinacionet qesharake dhe mjerane të Edi Ramës nuk do ta ndalin dot vullnetin e shqiptarëve të bashkuar për të shembur këtë sistem të kalbur nga krimi dhe korrupsioni!
Më 16 shkurt qytetarët do t’i japin vendit shancin historik që të drejtohet nga një qeveri që lufton krimin, lufton korrupsionin dhe krijon mundësi e mirëqenie për të gjithë!
G.M.