TIRANË- Me sloganin "Shqipëria fiton", demokratët kanë prezantuar ditën e sotme programin ekonomik me të cilin do u drejtohen shqiptarëve në zgjedhjet e 25 prillit. Qëllimi, tha kryedemokrati Lulzim Basha në prezantimin e tij, është rimëkëmbja e ekonomisë.
Disa nga pikat kryesore të këtij programit, për të cilin Basha tha se janë dashur 2 vite për ta hartuar, është hapja e 110 mijë vendeve të punës, rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 36 mijë lekë, 3 mijë lekë në muaj për bebet për 5 vitet e para të jetës.
Në fokus, Basha tha se është familja, duke vënë theksin se nuk do të ketë më njerëz që do të vuajnë për bukën e gojës, ujë dhe drita dhe se në mandatin e parë tha se varfëria do të ulet me 50%. Duke refuzuar që t'i quajë premtime, por angazhime, Basha shtoi se gjatë qeverisjes së tij, pensionistët do të trajtohen me dinjitet, fermerët do të vlerësohen për punën e tyre me 100 mln euro mbështetje nga qeveria dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale.
Në rreth 20 minuta prezantim, numri një i demokratëve, pretendent për kryeministër, nuk i ka kursyer kritikat për qeverinë Rama dhe premtimet e këtij të fundit "pa doganë", siç ai i quan. "Kjo kulturë e premtimeve pa doganë dhe pastaj braktisjes së tyre totale do të marrë fund. Ndaj nuk kam dalë sot para jush të premtoj gjëra që nuk bëhen kurrë realitet", tha Basha.
Si përfundim kryedemokrati e cilësoi këtë si një program serioz i punuar me ekspertët më të mirë të vendit dhe jashtë saj "që do t'ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve".