PD: Që nga 2017, Rama 147 mln € për punësimet elektorale në shtet

12 Gusht 2020, 12:35 | Përditesimi i fundit: 2020-08-12 18:19:16

Një ditë pasi akuzoi qeverinë se ka përdorur reformën territoriale për të punësuar në shtet militantë, Partia Demokratike thotë se në 3 vitet e fundit, pra nga 2017-a, janë paguar 147 milionë euro për 21 mijë punësime në qeverinë qendrore dhe lokale.

Sipas PD-së administrata është kthyer në degë partie dhe pagat e të punësuarve me kontrata të përshkueshme në shtet, shkojnë më shumë se vlera për përballimin e pandemisë COVID.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DHURATA ÇUPI

Shqipëria po vuan sot pasojat e keqqeverisjes nga Edi Rama. Kryeministri në ikje nuk ka menduar të investojë për shëndetësinë, për arsimin, për hapjen e vendeve të reja të punës, por për të blerë vota me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sot, vendi është më keq, qeveria nuk jep para për biznesin e vogël në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse paratë shkojnë për të paguar militantët partiakë.

Edi Rama ka paguar një mal me para për të punësuar në shtet me kontrata të përkohshme mbi 13 mijë persona që nga viti 2017, duke e shndërruar administratën në një degë të partisë në pushtet.

Me firmën e tij, qeveria e Edi Ramës i ka miratuar këto kontrata përmes 23 vendimeve, duke nxjerrë nga arka e shtetit rreth 55 milionë euro për punësimet elektorale.

    No videos found.