PD: Qeveria bleu kite për testim me 4-fishin e çmimit të tregut me kontratë sekrete

21 Prill 2020, 12:31

TIRANE-Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj akuzon qeveria se përmes kontratave të shpallura sekrete ka blerë kite për testimin e qytetarëve me 4 fishin e çmimit të tregut.

"Qeveria ka blerë kite për testimin e qytetarëve me 4 fishin e çmimit të tregut.  Edhe kjo me kontratë të shpallur sekrete. Të dhënat e siguruara faktojnë se kitet për testimin e një personi vijnë në Shqipëri me çmimin e tregut 21 mijë lekë të vjetra, ndërsa Qeveria vetëm pak orë më vonë, i blen ato me 85 mijë lekë të vjetra.Po, po, 4 fish më shtrenjtë! Nga 21 mijë lekë që e kanë çmimin maksimal në treg, qeveria blen 85 mijë lekë një kit testimi. Pra, tenderi sekret është përdorur për të blerë këto pajisje mjekësore me çmim 4 herë më të lartë. Të blesh 4 herë më shtrenjtë një testim, do të thotë 4 persona më pak të testuar. Ky është krim! Dhe kur krimin përpiqesh ta fshehësh me kontrata sekrete apo me mungesë transparence, ai bëhet edhe më i rëndë, sepse provon që është bërë me vetëdije për të vjedhur.